Disa pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme janë vënë nën sekuestro preventive këtë të martë, nga Prokuroria e Vlorës në bashkëpunim me policinë, që kapin një vlerë të përgjithshme prej rreth 360 mijë eurosh, me prejardhje të dyshuar nga burime të paligjshme.

Konkretisht janë sekuestruar dy apartamente banimi dhe 6 garazhe të ndryshme në lagjen “10 korriku”; dy ambiente shërbimi (dyqane) dhe dy vendparkime në lagjen “Pavarësia”; si dhe një automjet tip BMW; që të gjitha në qytetin e Vlorës.

Pasuritë i përkasin shtetasit J.J., i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale, ose veprimtarisë penale”. Dyshohet se ato janë përfituar si pasojë e veprimtarive të shtetasit J.J. në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Policia ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë, e cila bazohet në vendimin gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, dhënë më 17 nëntor, e cila ka caktuar masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.

Policia e Shtetit, ndërkohë, po vijon punën për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Top Channel