Rrëshqitja nxjerr trenin nga shinat, një i vdekur e 6 të plagosur në Spanjë

20/11/2018 08:53

Një person ka humbur jetën dhe 6 të tjerë janë plagosur këtë të martë, pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat pranë Barcelonës, për shkak të rrëshqitjeve të dheut si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Lajmi është zyrtarizuar edhe nga operatori hekurudhor i Spanjës dhe shërbimet e emergjencave civile.

Aksidenti ka ndodhur në qytezën Vacarisses, rreth 35 km në verilindje të Barcelonës, kur dy prej 6 vagonëve të trenit dolën nga shinat, ngjarje e njoftuar përmes “Twitter”-it nga shërbimet e emergjencave.

Treni, i cili po udhëtonte mes Manresas dhe Barcelonës, doli për shkak të një rrëshqitjeje që kishte ndodhur në itinerarin e tij, tha në deklaratën zyrtare operatori hekurudhor “Adif”.

Rajoni në fjalë është goditur ashpër nga reshjet e furishme gjatë ditëve të fundit.

Në tren pati rreth 150 persona në momentin e aksidentit, ndërsa në ndihmë të tyre shkuan zjarrfikës lokalë dhe punonjës të shpëtimit, që ndihmuan pasagjerët të evakuoheshin.

Top Channel