Katër muaj pas largimit të Marco Fassones nga Milani, me lamtumirat që vijuan sikundër me atë të Yonghong Li dhe kalimin e pronësisë të klubit kuqezi tek fondi Elliot, ish-administratori i deleguar i rikthehet eksperiencës së tij të jetuar tek klubi milanez dhe prapaskenave shumë interesante, duke filluar me Cristiano Ronaldon.

“Zoti Li kërkonte shërbimet CR7, pasi vlerësonte edhe ndikimin e tij në merkaton kineze,” – shpjegon Fassone. – “E pamë të arsyeshme dhe zhvilluam një takim më agjentin e tij, Mendes, në korrik të 2017-ës, për të verifikuar dhe diskutuar mbi koston e operacionit dhe vullnetin e vetë lojtarit. Por unë e binda të hiqte dorë nga ëndrra për sulmuesin 33- vjeçar, pasi çmimi i tij ishte vërtetë shumë i lartë.”, tha Fassone.

Por krahas ëndrrave te merkatos, të cilat u zbehën si retë në qiell të hapur, Fassone shpjegon edhe detajet e administrimit nga ana e tij gjatë vitit që qëndroi në pozicionin e lartë drejtues në klubin kuqezi.

“Besoj se Milani ka patur një këshillë të shkëlqyer administrativ, nuk isha i vetëm, por i mbështetur nga një grup ekspertësh të përgatitur. Të gjitha vendimet janë marrë në unanimitet të plotë nën drejtimin tim. Krahasuar me një sezon, më parë arritëm të krijonim një organikë më një vlerë më të lartë financiare se ajo e sezonit 2016-2017. Li trashëgoi një bilanc prej 126 milionë eurosh borxhe, por nën administratën time, në krahasim me 2016-17, kemi arritur një fitim prej 20 milionë eurosh nga të ardhurat dhe mbi 50 milionë diferencë të shtuar”, shprehet ai.

Lidhur me kauzën e tij të hapur me klubin kuqezi, Fassone shton.

“Detyra ime te Milani dihet, nuk dua të komentoj shifrat, por nëse do të kisha pranuar ofertën e klubit me 2 milionë euro, duke e ditur se marrëveshja ishte krejt tjetër, atëherë do të krijoja përshtypjen se ika duke fshehur diçka. Ndaj në këtë pikë vendimi i mbetet gjykatësit.”, tha Fassone.

Top Channel