Ndalohet hyrja në zonën Schengen, e 18 sauditëve të përfshirë në vrasjen e Khashoggit

20/11/2018 00:55

Gjermania inicioi një nismë për të ndaluar hyrjen në shumicën e vendeve të Europës, të 18 sauditëve të dyshuar për përfshirje në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe bëri një hap drejt ndalimit të shitjes së armëve në Arabinë Saudite.

Ndalimi detyron të gjithë anëtarët e zonës Schengen që të mos pranojnë hyrjen në territorin e tyre, të këtyre 18 shtetasve, ndërsa në rast të kundërt, Gjermania është e gatshme të përdorë ndikimin e saj si vendi më i madh i BE-së për të nxitur një linjë edhe më të ashpër.

Ministri i Jashtëm Heiko Maas tha se vendimi ishte koordinuar ngushtë me Francën, e cila është pjesë e zonës Shengen dhe Britaninë, e cila nuk është, ndërsa shtetet e BE kanë shprehur “mbështetje të madhe” për vendimin, kur u informuan në Bruksel të hënën.

“Ne gjithashtu dolëm me një deklaratë të përbashkët mbi këtë çështje këtë fundjavë, që tregon se ne nuk jemi të kënaqur me rezultatet e hetimit deri tani … dhe se ne mbajmë të drejtën për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm”, tha ai.

Kur u pyetën për veprimin e mundshëm francez, Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian tha: “Ne jemi duke punuar shumë ngushtë me Gjermaninë në këtë moment … dhe ne do të vendosim vetë një numër të caktuar të sanksioneve, shumë shpejt, mbi atë që dimë (rreth vrasjes ). ”

Gjermania po ashtu kishte bërë presion ndaj prodhuesve të saj të armëve për të ndaluar dërgesat e autorizuara, drejt Arabisë Saudite, por në këtë pikë vështirë se Franca do ta ndjekë pas, duke qenë se ka një tregti armësh shumë të zhvilluar me Rijadin.

Top Channel