Në ditën e tyre të 17-të të protestës, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është takuar me banorët e “Astirit”, që preken nga ndërtimi i rrugës në Unazën e Re.

Kryemadhi është ulur mes banorëve për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre, për dëmshpërblimin që kërkojnë nga ana e bashkisë, para se ajo t’i nxjerrë jashtë nga banesat e ndërtuara prej vitesh tashmë.

Takimi ka nisur mëngjesin e sotëm, dhe banorët i kanë përsëritur Kryemadhit kërkesën e tyre për dëmshpërblim në vlerën 100%, nga e cila, ashtu si kanë thënë edhe sot, nuk tërhiqen.

“Mos guxojnë të afrohen në banesat e qytetarëve. Projekti prek vetëm pronat e qytetarëve të thjeshtë dhe të varfër. I bëj thirrje asaj kompanisë fantazmë që të jenë të kujdesshëm, ata po shkojnë kot më kot me fëmijët e shqiptarëve. Të marrësh fëmijët në prokurori, do të thotë se Rama është frikacak, – tha ajo duke iu referuar shoqërimeve të protestuesve në polici mbrëmjen e djeshme. – Ata që guxojnë e mashtrojnë e sponsojnë rrugën për të përfituar klientët e të shkatërrojnë shtëpitë e fukarenjve, nuk do tolerohen”.

Kryemadhi tha se nuk është kundër ndërtimit të rrugëve dhe zhvillimit të vendit, por saktësoi se njerëzit duhen dëmshpërblyer 100%.

“Nuk jemi kundër ndërtimit të rrugëve, por Rama duhet t’i dëmshpërblejë se këta njerëz kanë 22 vjet që paguajnë, taksë prone, ujë, drita, detyrime shtetërore. Një njeri që nuk i vjen keq për fëmijët e tij, nuk ka për t’i ardhur keq për fëmijët e shqiptarëve, – vijoi ajo. – Pse nxitoi Rama të nisë menjëherë këtë projekt? Të bëjë rrethrrotullimin atje ku shkuli simbolet kombëtare dhe pastaj ta fillojë me shtëpitë e qytetatrëve. I bëj thirrje Ramës, se nuk do të tolerojë njeri, pasi kjo është çështje grabitjeje, jo zhvillimi”.

Top Channel