Liga e Kombeve të UEFA-s duhet ende të mbyllë kalendarin me sfidat e së martës, por kompletoi ndërkohë dhe renditjen e 4 të parave të klasës. Sfida që kishte vëmendjen kryesore ishte ajo në Gelzenkirshen, aty ku Gjermania e dorëzuar dhe e zbritur në një ligë më poshtë, barazoi 2-2 me Holandën në një përballje emocionuese në fundin e së cilës festuan miqtë.

Vetëm 9 minuta lojë zgjati qetësia në shkallët e “Veltins Arena” pasi Timo Werner guxoi me një goditje nga distanca dhe u vlerësua me një gol të bukur që prishi ekuilibrat.

Tulipanët nuk ofruan asnjë reagim të denjë, madje neglizhenca në prapavijë dhe fati i keq i ndëshkuan me rrjetën e dytë. Leroy Sane mposhti sërish Casper Cillesen pas një goditjeje e cila u devijua duke nxjerrë jashtë loje portierin e Holandës.

Në fraksionin e dytë skuadra portokalli kërkoi të ndryshonte fatet e sfidës por presioni dha frytet vetëm në fund. Promes ngushtoi diferencat për Holandën me një gol të bukur por skuadra e Koeman përmbushi misionin me rrjetën e Van Dijk brenda zonës që fiksoi barazimin 2-2.

Me pikën e marrë Holanda kualifikohet në “final 4”, duke lënë jashtë edhe Francën kampione në fuqi të botës, kjo për shkak të golaverazhit. Tashmë skuadra e Koeman do të synojë triumfin në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, bashkë me Portugalinë, Zvicrën dhe Anglinë.

Top Channel