Ka hyrë sot në ditën e 15 protesta e banorëve të zonës së Astirit, të cilët protestojnë kundër shembjes së banesave dhe bizneseve të tyre, që sipas ARRSH-së dhe Bashkisë së Tiranës gjenden në gjurmën e Unazës së Madhe të Tiranës.

Pasi bllokuan qarkullimin në orët e para të mëngjesit të së dielës, banorët janë bashkuar sërish për t’iu drejtuar sheshit “Shqiponja” ku do të përqendrojnë protestën e tyre. Ata janë duke hedhur tymuese dhe fishekzjarre në rrugë.

“Nuk ka asnjë fije transparencë, as nga qeveria as Bashkia, ne sikur jemi geto afrikane, jo qytetarë të Tiranës. Edhe avokatja e popullit e nxori blof qeverinë në shumë pika”, u shpreh një banor për mediat.

Ndërkohë një tjetër qytetar i prekur nga ndërtimi i aksit nga Pallati me Shigjeta deri te Sheshi Shqiponja ka thënë: “Qeveria edhe mund të na terrorizojë, por ne me trupin e jetën tonë do i mbrojmë banesat”.

“Nuk jemi vetëm shpellarë të qeverisë. Ka ose jetë ose vdekje”, u shpreh një tjetër banorë.

Duket se protesta e banorëve të “Astirit” është përshkallëzuar pasi është lajmëruar se nesër në zonë do të vendosen mjetet e rënda që do të shembin banesat e tyre.

Qytetarët kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për objektet dhe jo qira 3 vjeçare siç ka paralajmëruar qeveria.

Top Channel