Në sezonin 2004-2005, Roberto Mancini, asokohe në drejtimin e Interit, vendosi një rekord në futbollin italian, duke grumbulluar 15 barazime në 23 takimet e para, ndërsa zikaltrit mbyllën sezonin me 18 fitore dhe 18 barazime.

Kanë kaluar 14 vite, por shenja “X” vijon të ndjekë Mancion, i cili tani drejton Kombëtaren Italiane, me të cilën ka regjistruar 4 barazime në po kaq takime të luajtura në shtëpi.

Më i fundit ishte ai i ndeshjes së djeshme në “San Siro” përballë Portugalisë, takim që përfundoi pa gola, ndërsa konfirmoi luzitanët në krye të grupit dhe la Italinë në vendin e dytë.

“Axurrët” zhvilluan një 45-minutësh të parë perfekt, duke dominuar tërësisht kundërshtarin, por pa arritur të jenë rezultativë dhe të dërgojnë topin në rrjetë, dobësi të cilën e ka pranuar edhe Mancini.

“Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por nuk shënuam dhe goli është detaji kryesor në një ndeshje futbolli. Duhet të bëjmë diçka më shumë me gjithë këto raste të krijuara. Më vjen keq që nuk fituam, pro dua të komplimentoj skuadrën për atë që dha në fushën e lojës”, deklaroi Mancini pas ndeshjes.

Me Ligën e Kombeve që përfundoi për Italinë, tekniku duhet të mendojë tashmë për eliminatoret e Euro 2020-ës, që do të startojnë në muajin mars, ndërsa për t’u larguar nga shenja “X”, ka nevojë të rikuperojë goleadorët si Belotti dhe Balotelli.

Top Channel