Protestat për karburantin në Francë, humb jetën një demonstruese

17/11/2018 14:31

Një protestuese ka humbur jetën, dhe po ashtu ka raporte për lëndime, ndërsa demonstruesit e zemëruar si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve kanë tentuar të bllokojnë trafikun në të gjithë Francën.

Protestuesja u godit nga një automjet, pasi një shofer u përfshi nga paniku dhe përplasi makinën me protestuesit.

Rreth 120 mijë persona, të veshur me jelekë ndriçues, u mblodhën në 2.000 pika të ndryshme në Francë. Ata akuzojnë presidentin Emmanuel Macron se po braktis njerëzit e thjeshtë. Më herët, këtë javë, Macron pranoi se ai nuk ia kishte dalë mbanë të pajtonte popullin francez me liderët e tyre.

Pavarësisht kësaj, ai akuzoi kundërshtarët e tij politikë se kishin shfrytëzuar lëvizjen e fundit të protestave për të bllokuar programin e tij të reformave. Zyrtarët e rendit, ndërkohë kanë paralajmëruar se, pavarësisht se do të përpiqen të mos i pengojnë protestat, nuk do t’i lejojnë demonstruesit të paralizojnë rrjetin francez të rrugëve.

Protestuesja humbi jetën në rajonin juglindor të Savojës, kur një shofere, që po dërgonte të bijën në spital, u përfshi nga paniku pasi ishte bllokuar prej rreth 50 protestuesish, që godisnin me grushta edhe makinën e saj, duke e përplasur më pas atë me ta.

Top Channel