Policia e Elbasanit, mbështetur nga FNSH, ka kryer një operacion në qytetin e Elbasanit dhe ka arrestuar dy persona. Ndërkohë, ka shoqëruar për verifikim 8 të tjerë.

Në lagjen “Emin Matraxhiu”, në ambientet e një bar-kafe në pronësi të Enver Çapjas janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 22 fishekë model 54, kalibër 7.62mm; një palë targa automjeti gjermane dhe një sasi prej 2110 euro dhe 372 000 lekë. Gjatë momentit kur policia po kryente kontroll në lokal, shtetasi Naim Gjarri është larguar me shpejtësi në drejtim të banesës.

Policia është vënë në ndjekje të tij dhe gjatë kontrollit të banesës janë gjetur edhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e markës CLOCK, kalibër 9 mm, me një krehër të vendosur në të me 13 fishekë; një armë zjarri e tipit pistoletë e markës TT, me krehër të vendosur në të me 7 fishekë; 3 pako me fishekë model 54, kalibër 7.62mm, me nga 70 fishekë secila nga pakot; një krehër pistolete si ato të pistoletave CLOCK, me 15 fishekë model 9 mm të vendosur në të dhe një pako e dyshuar si lëndë eksplozive, mine me sahat.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 57-vjeçari Enver Çapja dhe 38-vjeçari Naim Gjarri, të dy banues në Elbasan.

Top Channel