Festivali i Teatrit në Gjirokastër. 3 çmime merr trupa e teatrit “Skampa”

17/11/2018 16:13

Në Gjirokastër përfundoi edicioni i parë i festivalit mbarëkombëtar të teatrit “Kadri Roshi”.

Përgjatë një jave, 7 trupa nga trojet shqipfolëse interpretuan në skenën e teatrit “Zihni Sako”, duke tërhequr interesin e madh të publikut gjirokastrit. Publiku e ka pritur eventin përgjatë të gjitha netëve ne një sallë të mbushur si rrallëherë.

Takimi i teatrit solli interpretime bashkëkohore, por edhe tërhoqi vëmendjen për më shumë investime për trupat profesioniste. Çmimi i parë i këtij festivali i takoi pikërisht publikut.

Aktori Viktor Zhusti u shpreh se Gjirokastrës i kishte munguar një ngjarje e tillë dhe se mungesa e mbështetjes për artin e ka mbajtur edhe publikun të distancuar nga këto evente.

Në përfundim të festivalit u ndanë 8 çmime për trupat pjesëmarrëse, tre nga të cilat i shkuan trupës së teatrit “Skampa” të Elbasanit që mori jo vetëm trofeun e shfaqjes më të mirë, por edhe atë të regjizorit dhe aktorit më të mirë.

Për kryetarin e jurisë Timo Flloko, festivali dëshmoi nevojën e rritjes së nivelit dhe profesionalizmit në teatrin shqiptar. Ai theksoi se shfaqjet e mira ishin të pakta dhe juria rrallëherë gjeti të pranishme të gjithë komponentët artistikë.

“Shfaqjet mund të kishin një nivel më të mirë. Si juri mendojmë se teatri duhet të rrisë profesionalitetin e vet, nivelin e vet në të gjitha drejtimet pasi krahas vlerave në ato shfaqje të pakta të mira, duhet të rritet niveli. 7 shfaqje ku pak herë i gjetëm komponentët ne harmoni artistike e profesionale të kënaqshme”, tha Timo Flloko, kryetar i jurisë.

Eventi i rëndësishëm teatror në Gjirokastër përkoi me kremtimin e 50 vjetorit të krijimit të teatrit të Gjirokastrës. Gjashtë urdhra e tituj vlerësimi u dhanë nga presidenca për aktorët e këtij teatri që për një gjysmë shekulli kanë interpertuar në skenën e filmit dhe teatrit.

Top Channel