Partia Demokratike tha sot se ka një vendim të Këshillit të Ministrave për zëvendësimin e kasave fiskale për bizneset me kasa të reja.

Por, kjo gjë është përgënjeshtruar nga ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili përmes një postimi në Facebook mohoi kategorikisht këtë fakt.

“Nuk ka asnjë VKM për ndryshimin e kasave fiskale për bizneset! Forcojmë sistemet e kontrollit të sasive të hidrokarbureve, në favor të qytetarëve dhe buxhetit! Shumë tipike e PD, deklarata e përsëritur për të disatën herë e “ekspertit X”, që në rastin më të mirë është shfaqje paditurie të thellë, e në rastin më të keq, që është dhe më i mundur, disinformim me dashje i qytetarëve”, shkruan Ahmetaj në rrjetin social.

“Është humbje kohe t’u kthesh përgjigje për çdo budallallëk! Për qytetarët që meritojnë të sqarohen, Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 651, datë 31.10.2018, nuk ka të bëjë aspak me kasat fiskale të bizneseve, por lidhet vetëm me sistemet fiskale për kontrollin e sasive në shoqëritë e hidrokarbureve dhe të shitjes së tyre me pakicë. Ka një ndryshim thelbësor mes “sistemeve fiskale” dhe “kasave fiskale” dhe së dyti, efekti i kësaj VKM-je shtrihet vetëm mbi rreth 3 mijë sisteme fiskale të lidhura me sektorin hidrokarbur dhe aspak mbi rreth 145 mijë kasa apo pajisje fiskale që përdoren nga bizneset e tjerë në Republikën e Shqipërisë”, sqaroi Ahmetaj.

Top Channel