Skandali i zbuluar nga media, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit në Çeki

16/11/2018 01:13

Pushteti i kryeministrit çek Andrej Babis u duk më i dobët se kurrë të enjten në mbrëmje, pasi mijëra protestues kërkuan dorëheqjen e tij në sheshin kryesor të Pragës, ndërsa partnerët e tij të koalicionit vijojnë debatin nëse do të lënë qeverinë.

Presioni ndaj tij pasoi një raport mediatik, në të cilin djali i Babisit tha se babai i tij donte që ai të angazhohej fshehurazi për të penguar një hetim penal ndaj Babis dhe dy prej fëmijëve të tij, me dyshimin se ata ndikuan në mënyrë të paligjshme në një subvencionim prej 2 milion eurosh dhjetë vjet më parë.

Opozita reagoi duke thirrur një mocion mosbesimi në parlament, ndërsa kreu i këtij institucioni paralajmëroi se mbajtja e kësaj seance mund të planifikohet për më 23 Nentor, ndonëse rezultati duket i pasigurt në favor të kryeministrit aktual.

Babis, një biznesmen miliarder dhe politikani më popullor i vendit anëtar i BE-së dhe NATO-s, ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje dhe ka hedhur poshtë raportin, të botuar nga faqja e internetit Seznam.cz, si pjesë e një fushate mediatike kundër tij.

Në sheshin e Pragë, disa mijëra protestues u dëgjuan të thërrisnin “dorëheqje” dhe “turp”. Disa tundnin flamuj çekë dhe të BE-së, si dhe mbanin slogane duke përfshirë “Poshtë Babis”.

Socialdemokratët e qendrës së majtë, një partner koalicioni i partisë ANIS të Babisit në administratën, po shqyrtojnë “të gjitha opsionet” lidhur me veprimet e mëtejshme, tha kreu i partisë Jan Hamacek.

“Situata është serioze, informacioni është thelbësor dhe ne duhet të shqyrtojmë qasjen më të përgjegjshme”, tha Hamacek për Televizionin Çek.

Top Channel