Ranieri kalon te Fulhami, shpreson të përsërisë përallën e Leicesterit

16/11/2018 19:07

Claudio Ranieri deklaroi gjatë së premtes se, kishte besim të palëkundur se do të mund ta nxjerrë Fulhamin e vendeve të fundit nga zona e rrezikut, vetëm pak kohë pasi mori frerët e drejtimit të kësaj skuadre, e cila është ngjitur këtë vit në Premier League.

Ranieri, trajneri që “orkestroi” fitoren e pabesueshme të kampionatit anglez në vitin 2016 me Leicesterin, u ul në pankinën e Fulhamit pas shkarkimit të Slavisa Jokanoviç gjatë së mërkurës, pasi tekniku serb arriti vetëm 1 fitore në 12 ndeshje në sezonin e tij debutues në elitën e futbollit anglez.

Fulhami ka humbur 9 herë gjatë kësaj periudhe, duke marrë vetëm 5 pikë, por Ranieri beson se ka ende shpresë për ekipin, i cili është përforcuar me rreth 100 mln euro gjatë merkatos verore, pas fitimit të së drejtës për t’u promovuar nga Championshipi në Premier League.

“Kam parë disa ndeshje dhe kam vërejtur se te ky ekip ka mjaftueshëm kualitete për t’i nxjerrë në pah. Dua vetëm të nxjerr shpirtin luftarak të lojtarëve të mi”, u tha italiani reporterëve të pranishëm.

Me kombinimin e talentit me grintën që bëri Leicesterin nën drejtimin e tij të fitonte titullin kampion, Ranieri shpreson t’ia dalë të përsërisë ëndrrën e realizuar me ta, edhe me Fulhamin e një manjati indian, i cili tentoi madje të blinte edhe “Wembley”-n për këtë skuadër.

Top Channel