Gjatë ditës së djeshme u përfol shumë se do të ishte italiani Salvattore Ciullo ai që do të ulej në stolin e Kamzës, për të zënë vendin e Klodian Duros së shkarkuar para pak ditësh, por nuk ndodhi kështu.

Mbrëmjen e të enjtes, klubi i Kamzës njoftoi nëpërmjet rrjeteve sociale se do t’ia besojë drejtimin e skuadrës ish trajnerit të Kukësit, Flamurtarit e Vllaznisë, Ernest Gjokës.

Ky i fundit do të marrë përsipër të shpëtojë klubin nga rënia një kategori më poshtë, mision të cilin e tentoi edhe një vit më parë me Vllazninë, por dështoi duke u tërhequr dy javë nga fundi.

Ernest Gjoka është trajneri i 4-t sezonal për Kamzën, pas italianit Pietro Vierchowood, i cili u prezantua në qershor, për të mos u kthyer më në Shqipëri, Bledar Devollit që drejtoi skuadrën për 3 javë dhe Klodian Duros, që qëndroi në pankinë për 9 javët pasardhëse.

Aktualisht Kamza ndodhet në pozita të vështira, pasi në 13 javët e para të kampionatit, ka grumbulluar vetëm 8 pikë, një më tepër se Kastrioti i vendit të fundit dhe ka nevojë për pikë, që t’i largohet zonës së ftohtë.

Top Channel