Në vjeshtën e tretë të vitit 1937, në kuadër të ditës së Flamurit nisën transmetimet eksperimentale audio dhe vetëm një vit më pas, mbreti Zog nënshkroi dekretin për ngritjen e stacionit radiofonik në Tiranë. Në nëntor të 38’ nisën zyrtarisht transmetimet.

Ndërkohë, që hapi i parë në formalizimin e tregut ishte ligji “Për radion dhe TV publik e privat në Republikën e Shqipërisë”.

“ Ne jemi përpjekur që tetë dekada të transmetimeve radiofonike në Shqipëri t’i ndajmë në disa periudha. Periudha kryesore është ajo e Luftës së II Botërore; nën regjimin komunist është një periudhë tjetër; pastaj është tranzicioni demokratik i cili ndahet në nën periudha,sepse pas 2007-2008 kanë filluar në masë shërbimet online, radio në kohën e internetit”, tha Arben Muka, gazetar.

Duket se me kohën, pritja e hershme për të dëgjuar stacionet radiofonike, pas 80 vitesh është zëvendësuar, me forma të tjera të marrjes së informacionit, megjithëse  vlera nuk humbet kurrë. Radio di të përshtatet.

“I them studentëve gjithmonë që radio është një institucion që nuk duket, televizioni është më agresiv. Duhet ta bëjmë ne që të duket, është e heshtur. Radio ka qenë jeta ime. I jam shumë mirënjohëse Top Albania Radios për mësimet që më dha”, u shpreh Zamira Koleci.

Top Albania Radio, shënoi pranverën e 98’ krijimin e një radioje me ngjyra. E reja që ndërthurej kaq bukur me të vjetrën.

“Dita jonë është radio. Top Albania Radio është një shtëpi jo vetëm për mua, por për shumë prej nesh. Është një intimitet sepse është fjala dhe fjala shkon më shpejt se çdo gjë. Radio nuk do ta humb kurrë vlerën, për sa kohë ka njerëz që dëgjojnë dhe kuptojnë”, tha Denis Dyrnjaja.

Duhet thënë se radio, u jep mundësi edhe gazetarëve të rinj të lirohen nga emocionet, edhe pse ata nuk e shohin të ardhmen në radio, por  si një urë kalimi për në një tjetër  derë mediatike.

Top Channel