Prodhuesit e produkteve tradicionale, operatorët e vegjël ushqimorë dhe kultivuesit e vegjël të fruta-perimeve do të kenë mundësi të pajisen me certifikim të standardizuar pasi të aplikojnë pranë Drejtorisë së AKU në Gjirokastër.

Rajoni ka një numër të lartë fermerësh të vegjël që kanë vështirësi të shesin në treg. Produktet si mjalti, vezët, pulat e gjalla, qumështi dhe produktet me bazë mund të tregtohen lirisht pasi të jenë monitoruar për cilësinë, ambalazhimin dhe etiketimin prej AKU.

Beso Brahimi drejtor i AKU thotë se udhëzimi ndihmon në mënyrë specifike prodhuesit e vegjël në rajonin e Gjirokastrës që duan të bëhen pjesë e rrjetit të operatorëve që ofrojnë produkte për tregun turistik, për panairet, tregjet ditore, për bujtinat dhe marketet brenda njësisë së tyre administrative.

Sipas z. Brahimi numri i aplikantëve ende është minimal por ai mendon se kjo masë e re do të minimizojë tregëtinë ambulante të produkteve të paçertifikuara dhe do të mundësojë prezantim më dinjitoz të produkteve tradicionale kundrejt asnjë detyrimi ndaj shtetit.

Përfitues prej këtij udhëzimi të ri pritet të jenë të gjitha fermat e vogla që kanë jo më shumë se 3 krerë lopë apo 30 krerë të imëta. Si dhe fermerët që mbarështojnë jo më shumë se 50 pula apo 30 koshere bletësh.

Qarku i Gjirokastrës është qarku kryesor blegtoral në vend me rreth 400 mijë krerë të imëta, 20 mijë gjedhë dhe mbi 21 mijë koshere bletësh. Gjirokastra gjithashtu ka rreth 700 ha të mbjellë me vreshta dhe 1300 ha me frutikulturë dhe ullinj por në masën 40% administruesit e kësaj pasurie janë fermerë të vegjël.

Top Channel