Triumfi ndaj Milanit, Juventus regjistron startin rekord të kampionatit

15/11/2018 04:34

Fitorja 0-2 në transfertën e “San Siro-s” ndaj Milanit, ndihmoi Juventusin që jo vetëm të ruajë distancën nga ndjekësit, por të vendosë edhe një rekord të ri, që lidhet me sasinë e pikëve të marra në startin e sezonit.

Kështu bardhezinjtë kanë grumbulluar plot 34 pikë, pas 11 fitoresh dhe një barazimi në 12 ndeshjet e para, ndërsa kanë vendosur një rekord absolut, për nisjen më të mirë të sezonit, që nga ekzistenca e kampionatit italian.

Deri para këtij takimi, rekordi mbahej nga Napoli i sezonit të kaluar dhe Roma e sezonit 2013-2014, të cilat kishin grumbulluar 32 pikë në 12 javët e para, ndërsa në sezonin më të mirë të vet, Juventusi kishte arritur deri në 31 pikë gjatë sezoneve 2014-2015 dhe 2017-2018.

Klubi bardhezi ka fituar 7 herë radhazi titullin kampion në Itali, ndërsa këtë herë po “vrapon” drejt titullit të 9, pasi në 12 javët e para ka arritur të shkëputet me plot 6 pikë nga Napoli i vendit të dytë.

Top Channel