Deputeti i Partisë Demokratike, Endri Hasa tha se “heshtja prej ditësh edhe me censurë mediatike nuk mbulon krimin elektoral të Vangjush Dakos”.

Sipas Hasës, kryetari i Bashkisë së Durrësit duhet të ndëshkohet me burg për bashkëpunimin me organizatën kriminale të bandës së Avdylajve për blerjen e votave në shërbim të qeverisë.

“Kalimi i ditëve dhe mbulimi i tyre me heshtje dhe me censurë mediatike nuk i zvogëlon përmasat e skandalit dhe krimit elektoral, ku është përfshirë Vangjush Dako. Në Dosjen 339 ndodhen qindra faqe me përgjime që vërtetojnë përdorimin prej organizatës kriminale “Rilindja” të bandës së Avdylajve në Durrës e Shijak për blerjen e votave, në këmbim të favoreve shtetërore. Vetë kreu i bandës Astrit Avdylaj, i arrestuar për trafik ndërkombëtar droge, shpalli ortakërinë mafioze, kur pranoi publikisht se “I zgjidhte hallet me Vangjush Dakon dhe Partinë Socialiste”. Prokuroria e Krimeve të Rënda duhet ta kishte arrestuar brenda ditës uzurpatorin e bashkisë së Durrësit, jo vetëm prej dëshmisë publike të Avdylajt, por edhe për shkak se lënia e Dakos në krye të bashkisë së Durrësit, shton mundësitë e prishjes së provave, si dhe të intimidimit të dëshmitarëve”, tha Hasa.

“Është e provuar prej përgjimeve zyrtare se Kryebashkiaku i Durrësit ka pasur komunikim me bandën e Avdylajve shumë kohë para zgjedhjeve. Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylaj, me nofkën Niçja, të cilit i premton një favor, e provon këtë. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, pasi ka blerë vota, bashkë me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, komunikon sërish me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve. Nga përgjimet, shqiptarët kanë parë sesi banda e Avdylajve, një pjesë e të cilës është në burg për trafik ndërkombëtar droge, i kërkon Dakos të ndërhyjë për të larguar forcat speciale. Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg”, shtoi Hasa.

Top Channel