Opozita mungoi në takimin e 10 të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, e për këtë akuzoi Qeverinë, e cila sipas saj e përjashtoi.

“Qeveria prish një traditë pozitive që ka trashëguar nga qeveria e Partisë Demokratike për të pasur në mbledhjen e këtij këshilli si qeverinë, ashtu dhe opozitën”, tha Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit Europian.

Edhe këtë vit, mazhoranca dhe opozita e lexuan në mënyra të ndryshme dokumentin e Brukselit. Ministri i Jashtëm Bushati foli për arritje, ndërsa kryetari demokrat i Komisionit të Integrimit, për dështim.

“Deklarata thotë se, BE-ja rithekson nevojën kritike për të pasur rezultate, jo për të përshëndetur rezultate. Në qoftë se flitej në përgjithësi për krimin e organizuar dhe korrupsionin, tani thuhet për korrupsionin në të gjitha nivelet. Vjet flitej vetëm për kanabisin, ndërsa tani flitet për narkotikët, për drogat”, shtoi më tej Pollo.

Komisioneri europian për Zgjerimin, Johannes Hahn i bëri thirrje opozitës të ndërpriste bojkotin dhe t’i rikthehej normalitetit në Kuvend, por përgjigjja që mori një ditë më pas nga përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim ishte negative.

Monika Kryemadhi konfirmoi se bojkoti do të vijojë krahas thirrjeve të ndërkombëtarëve, për të cilët u shpreh e indinjuar. Të njëjtin qëndrim ndajnë edhe demokratët.

“Nuk mund të flasim për të mbyllur bojkotin e opozitës, sepse nuk e ka bojkotuar opozita Parlamentin. E ka bojkotuar Rilindja Parlamentin, të cilin e ka kthyer në një institucion në shërbim të bandave”, tha Kryemadhi.

Numërimi mbrapsht për mandatet e opozitarëve ka nisur, por e shkuara ka treguar se ajo është rikthyer në Parlament në limetet kohore.

Top Channel