Marrëveshja e “Brexit”-it, May përgjigjet përpara Parlamentit

15/11/2018 15:36

“Njerëzit duan që ne ta mbarojmë këtë punë”, tha kryeministrja Theresa May përpara të mbledhurve të Dhomës së Komunëve, në ditën kur dy ministra të kabinetit të saj dhanë dorëheqjen për shkak të “Brexit”-it.

Shefja e ekzekutivit britanik iu është përgjigjur prej dy orësh pyetjeve të ligjvënësve.

“Votimi kundër marrëveshjes së arritur për shkëputjen nga BE-ja do të na çojë në pikën e nisjes, – u shpreh ajo, – e do të shkaktojë më shumë pasiguri dhe përçarje në vend”.

“Ajo rikthen praktikisht kontrollin në kufijtë, ligjet dhe paratë tona; mbron vendet e punës, sigurinë dhe integritetin e Mbretërisë së Bashkuar”, argumentoi May.

Më herët, Sekretari britanik për “Brexit”-in, Dominic Raab dha dorëheqjen me pretendimin se nuk e mbështet dot me vetëdije të plotë draftin e ujdisë me Bashkimin Europian.

Pak pas tij, të njëjtën gjë bëri dhe Sekretarja e Punës dhe Pensioneve, Esther McVey. Problemin kryesor, Raab e sheh te regjimi rregullator i propozuar për Irlandën e Veriut, që përbën sipas tij një kërcënim shumë real ndaj integritetit të vendit.

Largimi i Raab dhe McVey mund të shtojë presionin edhe ndaj anëtarëve të tjerë të kabinetit, që të dorëhiqen, gjë që rrit gjasat e një efekti domino, i cili mund të përfundojë me shpërbërjen e qeverisë.

Top Channel