“Lleshi”, në pritje të Metës. Sonte, Presidenti i ftuar në “Open”

15/11/2018 19:42

Të premten është fundi i afatit të dytë kushtetues që Presidenti Ilir Meta ka, për t’u shprehur me dekret për ripropozimin e Kryeministrit, që Sandër Lleshi të jetë Ministër i Brendshëm.

Në dy godinat, atë të Kryeministrisë dhe të Presidencës, ka rënë qetësia, si para stuhisë. Top Chanel mësoi se një takim i parashikuar për mbrëmjen e së mërkurës dështoi mes Kryeministrit dhe Presidentit, një sinjal më shumë ky për të gjithë ata që janë të bindur se Meta nuk do e dekretojë sërish Lleshin.

Por edhe Meta është në pritje të mazhorancës, për sa i përket propozimit të tij për të dërguar anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushën, në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në “lojën e shahut” e të nervave, mazhoranca ka dërguar sinjale se ndonëse vlerëson kandidaturën, Vitore Tusha është e nevojshme për ngritjen e KED-së, si një nga dy emrat që mund të dërgojë Gjykata Kushtetuese në këtë institucion të ri të drejtësisë.

Mes këtyre heshtjeve institucionale u fut Gjykata Kushtetuese, e cila publikoi dy emrat e saj që plotësojnë kriteret për të qenë anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ata janë Bashkim Dedja dhe Vitore Tusha, kjo e fundit kandidatja që Presidenti do të dërgojë në KLSH.

Presidenti sonte do jetë i ftuar në emisionin “Open” në Top Channel ku do të flasë edhe për detajet e asaj që është quajtur nga kryeministri Rama si shah politik.

Top Channel