Ripërsëritja e testimit të anuluar për 470 oficerët e policisë për gradën “komisar” nuk u zhvillua as këtë të enjte.

Zyrtarisht thuhet se për shkak të riformulimit të tezës nevojitet më shumë kohë. Ndërkohë, pas verifikimeve, burime nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) thonë se për testimin e datës 7 nëntor është referuar në Prokurorinë e Tiranës një kallzim penal për shpërdorim detyre.

Në urdhrin për anulimin e këtij testimi, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu theksonte se janë konstatuar mangësi që kanë cenuar integritetin e procesit. Ndërkohë, oficerë të shumtë në lidhje me këtë rast të paprecedentë i janë drejtuar Sindikatës së Policisë, e cila ka këtë qëndrim.

“Ne e konsiderojmë një veprim arbitrar. Dënimet kolektive janë të papranueshme. Drejtori i përgjithshëm të thotë arsyet e anulimit”, tha Sadetin Fishta.

Disa oficerë ankohen se ditën e testimit teza doli dhe u kopjua, ndërsa të tjerë pretendojnë se anulimi i testimit u bë kur nga rezultatet dolën fitues për 130 vende vakante jo emrat e “preferuar”.

Top Channel