Mes Zoran Zaevit dhe Nikola Gruevskit nuk ka pasur asnjë marrëveshje, për ta lejuar këtë të fundit të largohet nga Maqedonia.

Kryeministri i Maqedonisë ka hedhur poshtë këto spekulime para gazetarëve, duke shprehur bindjen se paraardhësi i tij, Nikola Gruesvki, herët a vonë do të kthehet në Maqedoni, ku do t’i duhet të vuajë dënimin, për veprën për të cilën është dënuar nga gjykata, si dhe veprat e tjera që janë në procedurë gjyqësore.

“Kemi lëshuar fletarresti ndërkombëtar. Kërkojmë që të ekstradohet Nikola Gruevski dhe të kthehet në Maqedoni”, tha Zoran Zaev.

Ish-kryeministri Gruevski bëri të ditur një ditë më parë, përmes Facebookut, se ndodhej në Hungari dhe se kishte kërkuar azil politik atje. Ai kërkohet nga policia në Maqedoni për të vuajtur dënimin prej dy vitesh burgim për shpërdorim detyre.

Sipas Zaevit, Hungaria, si shtet anëtar i BE-së nuk mund të lejojë që të shkelen marrëveshjet ndërkombëtare dhe nuk duhet të mbrojë një kriminel, që i ka shkaktuar dëm shtetit dhe qytetarëve të Maqedonisë.

“Është e palejueshme që një vend anëtar i Bashkimit Europian të mos e respektojë sundimin e drejtësisë. Jam i bindur se Hungaria do të veprojë në përputhje me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare dhe do ta ekstradojë Gruevskin në Maqedoni, që ai të vuajë dënimin e caktuar nga gjykata”, tha Zaev.

Për Zaevin, Gruevski është larguar nga Maqedonia pasi ka frikë të përballet me drejtësinë. Sipas ekspertëve, jo vetëm Hungaria, por edhe Bashkimi Europian është tani përpara një sfide të madhe për të dorëzuar Gruevskin.

Mëngjesin e së mërkurës, ndërkohë, në Maqedoni u arrestua ish-ministri i Transportit, Mile Janakievski, si dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë, Kiril Bozhinovski, që akuzohen bashkë me Gruevskin për disa vepra penale.

Top Channel