Në Top Story janë ekspozuar disa nga dosjet e bujshme të tragjedive shqiptare si ajo e Gërdecit dhe 21 janarit, të cilat u groposën me urdhër politik.

Një nga këta ushtarë, ishte edhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i shkarkuar nga Vettingu, por për të cilin Partia Demokratike hesht. Ndërsa ka lëshuar një lumë akuzash ndaj gjyqtarit Ardian Dvoriani, të cilit qeveria Berisha i shkaktoi një tragjedi familjare, ku vëllai i gjyqtarit mbeti i vrarë në tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008. Deputeti i Partisë Demokratike teksa flet për “Top Story” deklaron se opozita nuk merret me ata, të cilët janë shkarkuar nga organet e Vettingut.

“Nuk i dalim në mbrojtje askujt që e ka bërë baltë dhe nuk e meriton të jetë në sistem. Ato vendime dikujt i kanë pëlqyer, dikujt nuk i kanë pëlqyer. Mënyra e vetme për të përcaktuar nëse kanë qenë të drejta ose jo është fakti se si ka kaluar procedura gjyqësore në këtë rast”, shprehet Alibeaj.

Shkëlzen Selimi ishte gjyqtari që i vuri kapak tragjedisë së Gërdecit, duke e cilësuar si aksident teknologjik, të njëjtin term që përdori edhe kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha. Në këtë mënyrë, gjyqi për Gërdecin ishte bërë në zyrën e kryeministrisë.

Top Channel