Taksimi i pagave është shndërruar në objekt përplasjeje mes Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave.

Deputetët socialistë në komision propozojnë që fasha e pataksueshme e rrogave të rritet nga 30 mijë lekë në muaj që është aktualisht, në 40 mijë lekë. Por, ky propozim kundërshtohet nga ministri i Financave, i cili deklaroi se politika e taksimit të pagave duhet të lëvizë në krahun e kundërt, duke vendosur një taksë 1.5% edhe për ata që e kanë rrogën nën 30 mijë lekë në muaj.

Por, cilat janë efektet e këtyre dy propozimeve për buxhetin dhe për qytetarët? Nëse fasha e pataksueshme e pagave rritet në 40 mijë lekë në muaj, atëherë do të përfitonin ulje taksash mbi 475 mijë punonjës. Për shkak të natyrës që ka taksa progresive, nga ky propozim nuk do të përfitonin vetëm ata me rroga nga 30 deri në 40 mijë lekë, por edhe ata që kanë paga më të larta se kaq.

Sipas këtij propozimi, një punëtor me pagë 31 mijë lekë në muaj do të përfitonte 130 lekë ulje takse. Një tjetër që e ka rrogën 32 mijë lekë do të përfitonte 260 lekë dhe kështu me radhë. Për ata me rroga nga 40 mijë lekë e sipër, taksat do të uleshin me 1300 lekë në muaj. Sipas llogarive nga Ministria e Financave, nëse ky propozim do të miratohej, buxheti i shtetit do të humbiste 5 miliardë lekë në vit.

Por, cilat do të ishin efektet e propozimit tjetër, atij që mbështet Ministria e Financave, për të taksuar me 1.5% edhe fashën e rrogës nën 30 mijë lekë? Ky propozim bën që automatikisht 220 mijë punonjës me rroga të ulëta, të cilët sot janë të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat, të paguajnë. Masa e pagesës varion nga 360 lekë në muaj për ata me pagë minimale, deri në 450 lekë në muaj për ata që e kanë rrogën mbi 30 mijë lekë. Si rezultat i kësaj mase, të ardhurat në buxhet do të rriteshin me 3 miliardë lekë në vit.

Edhe pse debati mes komisionit dhe Ministrisë së Financave duket i ndezur, gjasat që taksimi i pagave të ndryshojë nga skema që përdoret aktualisht duken të pakta.

Top Channel