Presidenti Emmanuel Macron i tha të mërkurën Donald Trump se Franca ishte aleati i Shteteve të Bashkuara dhe jo një shtet vasal, pasi presidenti amerikan e sulmoi atë në një seri statusesh në Twitter, që treguan se si marrëdhëniet mes dy vendeve ishin përkeqësuar.

Në pesë postimet e dërguara të martën, pas një vizite në Paris për të shënuar 100-vjetorin e mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Trump i kujtoi Francës për humbjen e afërt ndaj Gjermanisë në dy luftëra, i dha një goditje në industrinë e saj të verës dhe përmendi rënien e Macron në vlerësimet e lidershipit.

Trump kishte kritikuar më parë sugjerimin e Macron se një ushtri evropiane ishte e nevojshme, pjesërisht, për të reduktuar besimin në ushtrinë amerikane.

I pyetur në një intervistë në bordin e aeroplanit “Charles de Gaulle”, nëse ai u ofendua nga reagimet e Trump, Macron foli gjerësisht rreth aleancës së gjatë ushtarake midis dy vendeve, nga Lufta e Pavarësisë së Amerikës e më pas.

“Në çdo moment të historisë sonë, ne ishim aleatë, kështu që mes aleatëve, respekti është i detyrueshëm”, tha Macron për televizionin TF1. “Unë nuk mendoj se francezët presin që unë të përgjigjem në Twitter, por të vazhdoj këtë histori të rëndësishme,” shtoi ai.

Por pyetjes nëse ka pasur një keqkuptim më të thellë mes dy vendeve, pas komenteve të Macron për një ushtri evropiane, që zemëruan Trump, presidenti francez tha se aleati i SHBA, nuk do të thotë të nënshtrohesh.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë historik dhe do të vazhdojnë të jenë. Është aleati me të cilin marrim të gjitha rreziqet, me të cilat kryejmë operacionet më të komplikuara. Por të jesh një aleat nuk do të thotë të jesh një shtet vasal, “tha Macron.

Mosmarrëveshja publike ishte në kontrast të thellë me tonin miqësor që kishte qenë një shenjë dalluese e marrëdhënieve midis ish-bankierit dhe ish zhvilluesit të pasurive të patundshme, që kur Macron u zgjodh në 2017-ën.

Pasi u ftua në Paris për të marrë pjesë në paradën ushtarake të Ditës së Bastias në korrik të vitit të kaluar dhe kur priti Macron dhe gruan e tij për një vizitë shtetërore në Uashington në janar, Trump e kishte lavdëruar Makronin si një “djalë të madh” dhe “një mik i imi”.

Top Channel