“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës ndërtimin e një pallati 13-katësh pa leje në Pogradec, në pronësi të vëllezërve të kryetarit të bashkisë.

Biznesmeni Agim Harizi denoncoi në emisionin investigativ se po ndërton një kompleks pallatesh në Tushemisht. Por, gjatë muajve të fundit, në dyert e pronës së tij kanë shkuar dhjetëra herë punonjës të Policisë Bashkiake, që i kërkonin të takonte kryetarin e Bashkisë, Eduart Kapri.

“E vetmja arsye përse do të më takojë është marrja e ryshfetit nën dorë. Nuk ka asnjë arsye tjetër”, thotë Harizi, ndërsa shton se punonjësit vinin pa asnjë mandat, vetëm me urdhra verbalë të kryetarit të Bashkisë.

Ai thotë se pallatin e ka me leje dhe, nisur nga kjo situatë, ka “hetuar” dhe ka gjetur dokumente se vëllezërit e kryetarit të Bashkisë po ndërtojnë një pallat pa leje, në hyrje të qytetit të Pogradecit. Sipas tij, më 15 shkurt 2017, Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar firmën “Gedi”, e cila kishte paditur bashkinë për pezullimin e një leje ndërtimi në vitin 2009.

Pak kohë më parë, një tabelë e vendosur në kantierin e ndërtimit citonte se, leja është ridhënë nga KRRT-ja e Bashkisë së Pogradecit në vitin 2016, vit kur në krye të kësaj bashkie erdhi një nga ish-aksionerët e kompanisë “Gedi”, Eduart Kapri.

Më vonë tabela është ndryshuar, duke cituar një leje tjetër ndërtimi në maj të vitit 2017. Nga 11 kate mbi tokë, kryebashkiaku Eduart Kapri u ka dhënë leje vëllezërve të tij për ta bërë pallatin 13 kate mbi tokë. Në të dyja kohët kur u dhanë këto leje, ishte në fuqi vendimi i Gjykatës Administrative në Korçë dhe i Apelit në Tiranë, që nuk u dhanë të drejtë ndërtuesve të shtynin afatin e lejes së ndërtimit. Pra, leja e ndërtimit për këtë objekt ishte pezulluar që në vitin 2015.

Ndërkohë, në korrik të vitit 2015, në Fletoren Zyrtare u botuan ndryshimet e ligjit “për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”. Në nenin 45, në “pikën c” thuhet se, “deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor për Territoret, për objektet mbi 6 kate, leja e ndërtimit jepet nga Këshilli Kombëtar i Territorit”.

Deri më sot, Bashkia e Pogradecit nuk e ka miratuar planin e përgjithshëm vendor, e si rrjedhojë leja e dhënë në vitin 2016 apo në vitin 2017 për ndërtimin e pallatit 13-katësh rezulton e paligjshme!

Biznesmeni Harizi thotë se ka bërë kallëzim penal më 25 korrik 2018 në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Ai është interesuar në Prokurori dhe, para pak ditësh i kanë dërguar një vendim pushimi të prokurorit Shkëlqim Kokona. Në vendimin e pushimit nuk shkruhej në asnjë rresht për ndërtimin pa leje, por për një konflikt të vëllait të tij.

Pas denoncimit, gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Bashkinë e Pogradecit, ku takuan nënkryetarin Polikron Balliu. Ai tha se punimet janë bërë me lejen e vitit 2009 dhe janë rinovuar konstruksionet. I pyetur nëse ka të drejtë bashkia që të japë leje mbi 6 kate, ai tha se “këtu nuk e ka idenë”.

Gazetarët i kërkojnë të takojnë kryetarin apo shefen e Urbanistikës, por askush nuk pranoi të japë një intervistë për këtë çështje, ndërsa Balliu tha se gazetarët e Fiksit duhet të bënin një kërkesë për informacionin që kërkonin.

“Fiksi” shkoi edhe në Prokurorinë e Pogradecit, ku takoi prokurorin e çështjes, Shkëlqim Kokona. Ai tha se i ka dërguar vendimin e pushimit qytetarit Agim Harizi. Gazetarët e pyesin nëse është ai vendim pushimi, pasi në asnjë rresht nuk përmendet ndërtimi i pallatit 13-katësh.

“Të nxjerr dosjen ta shoh, ça të them unë tani. Ma lër praktikën. Po ne kemi thënë këtu që është konflikt civil, s’ka rëndësi objekti. S’kam pse e përshkruaj objektin unë”, thotë prokurori.

Gazetarët i bëjnë të ditur se qytetari ka bërë kallëzim për ndërtimin dhe jo për konfliktin me policinë.

“Ku mbaj mend unë. Fotokopjoje atë vendimin dhe më merr pas nja 1 jave në telefon”, pohon ai, ndërsa thotë se aktualisht është shumë i ngarkuar me punë. Ai jep një mendim dhe thotë se “në përgjithësi, për ndërtimet pa leje, në pikëpamjen metodike, ne vihemi në lëvizje nga IKMT-ja, nga zyra e Urbanistikës”.

Por gazetari e kundërshton, duke i thënë se edhe qytetari, nëse ka dijeni për një vepër penale mund të bëjë kallëzim.

“Po lërë qytetarin, ça qytetari. Do të shkojë në polici pra. Ka hallka, nuk e fillon Prokuroria direkt”, thotë ai, ndërsa gazetari i bën me dije se në polici ka shkuar. “Po mirë, do ta shohim, do ta shohim”, i thotë në fund.

Ndërkohë, ndërtuesit po punojnë me ritme shumë të shpejta që ta mbarojnë dhe ta shesin sa më shpejt. “Fiksi” fakton se apartamentet e pallatit janë në shitje. Një nga pronarët thotë se “fillimisht e kisha për hotel, pastaj e ndryshova dhe e ktheva për apartamente banimi”. Në fund i thotë se një metër katror është 1.000 deri në 1.100 euro.

Bisedë me prokurorin Shkëlqim Kokona

Gazetari: Agim Harizi ka bërë një kallëzim për ndërtim pa leje, për një pallat 13 katësh në hyrje të qytetit të Pogradecit.
Prokurori Shkëlqim Kokona: I kemi çuar vendimin (e pushimit) ne atij.
Gazetari: Është vendimi i pushimit thotë, po kallëzimi bën fjalë për pallatin 13 katësh.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po.
Gazetari: E gjitha, apo jo?
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po.
Gazetari: Te vendimi i pushimit nuk ka asnjë rresht për pallatin 13 katësh.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po ça rëndësie ka! E ke parë vendimin e pushimit çfarë thotë?
Gazetari: E kam parë.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Ça thotë vendimi?
Gazetari: Thotë për konfliktin që ka pasur vëllai i këtij në kompleksin në Tushemisht.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Të nxjerr dosjen ta shoh, ça të them unë tani. Ma lër praktikën dhe të ashtu. Po ne kemi thënë këtu që është konflikt civil, s’ka rëndësi objekti. S’kam pse e përshkruaj objektin unë.
Gazetari: Kush është konflikt civil?
Prokurori Shkëlqim Kokona: Komplet, e gjithë ankesa e tij është konflikt civil, nuk ka vepër penale.
Gazetari: Ai s’ka konflikt, ai ka kallëzuar një vepër penale. Ai nuk ka konflikt me këtë, nuk ka konflikt civil, as prone.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po s’ka vepër pra. Në atë që kallëzon ai, nuk ka vepër penale. E kupton.
Gazetari: Nuk thuhet këtu në bazë kallëzimit, thuhet vetëm për vëllain e tij, Denisin, jo për Agimin.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Ky vendimi që më the mu, i këtij shefit të komisariatit.
Gazetari: Pikërisht për këtë.
Prokurori Shkëlqim Kokona: E kupton apo jo, që e kanë marrë e kanë shoqëruar këtë, unë e kam konflikt civil këtë.
Gazetari: Ai këtë ka thënë, që kam bërë kallëzim për ndërtim pa leje, jo konfliktin me punonjësit e policisë para kompleksit të tij në Tushemisht. Unë kam bërë kallëzim penal thotë, për pallat 13 katësh.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Të nxjerr dosjen, ça të them unë tashti. Ku mbaj mend unë. Fotokopjoje atë vendimin dhe më merr pas nja 1 jave në telefon.
Gazetari: Pas 1 jave?
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po, jam i ngarkuar shumë. Jam i mbytur more, kam 100 çështje në dorë. Në përgjithësi, për ndërtimet pa leje, në pikëpamjen metodike, ne vihemi në lëvizje nga IKMT-ja, nga zyra e Urbanistikës.
Gazetari: Dhe një qytetar, ka dijeni.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Jo mor burrë, jo qytetar.
Gazetari: Shiko tani, është e drejtë Kushtetuese.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po lërë të drejtën Kushtetuese. Apriori po ta them, për ndërtimet ne vihemi nga organet e gjurmimit.
Gazetari: Po një qytetar që shikon një vepër penale!
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po lërë qytetarin, ça qytetari. Do shkoj në polici pra. Ka hallka, nuk e fillon prokuroria direkt.
Gazetari: Në polici ka shkuar pra. Ja (kallëzimi) në polici është.
Prokurori Shkëlqim Kokona: Po mirë, do ta shohim, do ta shohim.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel