“Pas fëmijëve 0-18 vjeç, fishat e diabetit do të jenë falas edhe për studentët”.

Në Ditën Botërore të Diabetit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dha lajmin e mirë në një aktivitet të zhvilluar për ndërgjegjësimin e qytetarëve në lidhje me masat për parandalimin e diabetit.

“Me buxhetin e vitit 2019 do të mundësojmë që edhe për studentët, pra të gjithë personat me diabet deri në 23 vjeç, fishat e diabetit të jenë falas, duke bërë një tjetër hap drejt lehtësimit të personave me diabet dhe familjeve të tyre”, deklaroi Manastirliu.

Duke vlerësuar rëndësinë e Kontrollit Mjekësor Bazë për parandalimin e kësaj sëmundjeje, Ministrja Manastirliu deklaroi: “Rezultatet e deritanishme të Kontrollit Mjekësor Bazë tregojnë se 9.3% e personave 35-70 vjeç që kanë kryer check-up janë me nivel glicemie mbi normën, një shifër shumë e lartë që tregon për rëndësinë që ka kontrolli periodik, për të parandaluar pasojat e diabetit”.

Ajo lajmëroi gjithashtu një tjetër lehtësi për personat me diabet, të cilët deri pak ditë më parë, detyroheshin të vinin periodikisht për konsultë në QSUT nga rrethet për të përfituar terapinë e rimbursimit.

“Ne kemi mundësuar prej pak ditësh një procedurë të re për lehtësimin e personave me diabet që kanë nevojë për konsulta në QSUT. Nuk është më e nevojshme që pacientët nga rrethet të vijnë në QSUT, por konsultat po realizohen nëpërmjet telemjekësisë mes QSUT dhe spitaleve rajonale, ku vetë pacienti merr shërbimin dhe përfiton trajtimin me rimbursim, pa pasur nevojë të bëjë kilometra të tëra për të ardhur në Tiranë”, tha Manastirliu.

Top Channel