Policia kufitare e Rinasit ka arrestuar një 18-vjeçar nga Burreli, për tentativë korrupsioni me qëllim që të mund të largohej drejt Belgjikës.

Sipas komunikatës së policisë, 18-vjeçari është arrestuar në flagrancë për veprën penale të “korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi tentoi të korruptonte punonjësen e policisë kufitare të Rinasit me 50 euro për të kaluar në vendin e zonës Schengen.

Më tej, policia kufitare ka bërë edhe një bilanc të masave të shtuara për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Sa u përket masave për parandalimin e azilkërkimit, u është refuzuar dalja 88 shtetasve që nuk plotësonin kriteret për të lëvizur në hapësirën Schengen.

Gjatë dy javëve të fundit, në Rinas janë kapur nga policia kufitare 4 persona të shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale. Gjithashtu janë proceduar penalisht 6 shtetas me dokumente të falsifikuara, 12 shtetas për kalim të paligjshëm kufiri, e një shtetas për mosdeklarim të hollash në kufi.

Në total janë përpunuar në hyrje dhe dalje 74 mijë e 759 shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Top Channel