Nuk do të ketë vonesa, por as nxitim nga ana e mazhorancës për shqyrtimin e dekretit të Presidentit Ilir Meta, i cili propozon Vitore Tushën në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Socialistët vlerësojnë maksimalisht kandidaturën që ka kaluar edhe sitën e vetting-ut, por prezenca e saj në Gjykatën Kushtetuese nevojitet për ngritjen e KED-së.

“Është një prej dy antarëve të Gjykatës Kushtetuese që e kanë kaluar provimin e vështirë, por të domosdoshëm tashmë në drejtësinë e re që po lind dhe si e tillë meriton gjithë respektin, por keni parasysh që një institucion i rëndësishëm, sikurse është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, merr jetë për shkak të prezencës së antarëve të Gjykatës Kushtetuese në këtë institucion”, deklaroi Balla.

Kjo mund të kthehet në një tjetër problem në marrëdhëniet mes mazhorancës dhe Presidentit, pas çështjes së dekretimit të Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, të cilin Taulant Balla duket se e konsideron kapitull të mbyllur: “Kjo çështje ka pasur një zgjidhje prej ditës që është propozuar prej kryeministrit z. Lleshaj si ministër i Brendshëm, i cili tashmë e ka filluar detyrën dhe rezltatet e para janë shumë të mira. Nuk besoj se ka më nevojë publiku shqiptar apo marrëdhëniet ndërinstitucionale për të vonuar dekretimin e z. Lleshaj”.

A i qëndron PS-ja ende idesë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese? “Po”, u përgjigj shkurt Balla.

Prej disa ditësh, Balla i kërkon Partisë Demokratike të distancohet nga pedagogu i ekonomikut Dritan Shoraj, i arrestuar për llogari të italianëve ku kërkohej me akuzën e trafikut të drogës, ndërkohë që sipas socialistëve është njeri i strukturave të selisë blu: “Në rastin e Lulzim Bashës është e dyfishtë njolla e turpit. Eshtë drejtuesi i PD-së për Njësinë numër 5. Ky person është gjithashtu edhe pjesë e departamentit te ekonomisë në PD. Dekriminalizimi nuk mund të ndalet vetëm tek pjesa e Kuvendit apo të zgjedhurve vendorë, por është një dimension i rëndësishëm edhe brenda organizimit të partive politike. Mjafton vetëm një rresht, përjashtohet nga Partia Demokratike, kaq dhe mbyllet rasti”.

Numri dy i PS-së e quajti jo të moralshme sjelljen e PD-së që nuk resht së akuzuari të tjerët për lidhje me krimin ndërsa hesht kur preket një njeri i saj.

Top Channel