Një vit nga ndarja nga jeta e gazetares Adela Xhamani, në nder të saj është organizuar një takim dhe koncert ne ArtTurbina.

Ish banorja e Big Brother Albania u bë e njohur për vendosmërinë e saj për të ndjekur ëndrrën e saj duke tejkaluar paragjykimet e vendlindjes. Një vit më parë Adela humbi jetën në shtëpi pas një komplikacioni shëndetësor.

“Adelën e kam njohur gati 10 vite më parë. E kam njohur dy netë përpara se të hynte në atë që do të kthehej në spektaklin më të diskutuar, më të shikuar, sepse ishte e pranishme një vajzë që vinte nga një vend i vogël si Kavaja. Që të gjithëve ne pastaj me rrugëtimin e saj në Big Brother dhe në të gjitha eksperiencat që vijoi na dha një mësim të rëndësishëm në jetën e saj, na tha që duhet ta jetojmë ashtu siç duam, të ndjekim ëndrrat që duam. Pra na dha edhe një mësim të jashtëzakonshëm me vdekjen e saj të parakohshme që nëse duam ta jetojmë jetën, duhet ta bëjmë tani, tha moderatorja Arbana Osmani.

Një vit pasi gazetarja Adela Xhamani u nda nga jeta, miqtë e përkujtuan në një mënyrë të veçantë, duke siguruar në vend të saj një bursë të plotë studimi për një vajzë me rezultate ekselente nga Kavaja.

Më shumë se 18 artistë u bashkuan në një koncert humanitar në ArtTurbina nismës që synonte të realizonte ëndrrën e Adelës, shkollimin e vajzave të guximshme që duan të jenë të pavarura.

Për të nderuar kujtimin e Adelës dhe për të vlerësuar shembullin që dha për vajzat, Bashkia e Tiranës i akordoi titullin Mirënjohja e Qytetit, për punën që ka bërë si gazetare dhe guximin e treguar për të ndjekur ëndrrat.

“Në emër të familjes së Adelajdës dhe vecanërisht nënës së saj unë ju falenderoj nga zemra”, tha Flutura Degjoni, tezja e Adelës.

Top Channel