Me sherr ka nisur seanca e radhës gjyqësore në procesin ku gjykohen 4 persona për vrasje me paramendim të Marvi Mihalit.

Prindërit e të ndjerit kanë akuzuar për provokim dy vëllezërit binjakë Bitraj, fëmijët e të cilëve janë dy nga katër të akuzuarit për vrasjen e Mihalit. Më tej, në seancë gjyqësore, avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë parashtruar qëndrimet e tyre. Avokatët e Eugen Bitrajt dhe Klidens dhe Marsel Allës, deklaruan se klientët e tyre janë të pafajshëm dhe se prokuroria nuk ka asnjë provë të implikimit aktiv të tyre në këtë ngjarje që solli për pasojë vrasjen e Marvi Mihalit.

Ndërsa avokati i Dejvis Bitrajt, i cili akuzohet si autori kryesor i vrasjes, deklaroi se klienti i tij ka reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes pasi ishte vënë nën sulmin fizik të grupit kundërshtar. Ai ka mohuar akuzën e vrasjes me paramendim pasi u shpreh se Dejvis Bitraj ka qëlluar Marvi Mihalin në kushtet kur ishte goditur me grushte dhe qëlloi me thikë një person me të cilin nuk kishte fare konflikt dhe kjo, sipas avokatit të Bitrajt, rrëzon akuzën e vrasjes me paramendim.

Por, në këtë parashtrim, avokati nuk dha shpjegime se si u ndodh thika në dorën e klientit të tij.

Top Channel