Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda e shtyu vendimin e saj, pas apelimit të bërë nga 24 të arrestuarit e operacionit Volvo 4, mes të cilëve dy ish-deputetët socialistë, Arben Ndoka e Arben Çuko.

Prokuroria akuzon se, kreu i një bande kriminale është Astrit Avdylaj, i cili ishte i vetmi nga shumë të akuzuarit e kësaj çështjeje, i cili mori fjalën në seancë gjyqësore, ndërsa të tjerët u përfaqësuan nga avokatet e tyre.

Avdylaj u shpreh në sallën e gjyqit se ishte i pafajshëm dhe kërkonte lirinë. Ai tha se ishte një biznesmen. Avdylaj u shpreh se ka vuajtur një dënim për vrasje, duke u hakmarrë për vëllanë e tij dhe se i kishte mbyllur hesapet me drejtësinë.

Asgjë çfarë thotë prokuroria u shpreh ai nuk është e vërtetë. Unë vij nga një familje e përndjekur politike dhe në fillim ka votuar Partinë Demokratike.

“Me akuzojnë se kam folur me Vangjush Dakon”, tha në dëshminë e tij Avdulaj. Ai e pranoi këtë fakt duke shtuar se e ka mik dhe e gjithë familja e tij voton për të. Rroftë Dako, rroftë PS, përfundoi Avdylaj në seancë.

Edhe të akuzuarit e tjerë të kësaj çështjeje i kërkuan gjykatës që të ndryshojë masën e sigurisë së tyre duke e cilësuar procesin e montuar nga prokuroria. Ndërsa avokatët e dy ish-deputetëve socialistë u shprehen se për klientët e tyre nuk ka asnjë provë.

Avokati i Çukos, tha se nuk ka prova që ai të ketë marrë para për transferimin e një të burgosuri, Ndërsa, avokati i Ndokës u shpreh se nuk ka asnjë firmë të hedhur nga ai për të përfituar toka në bregdetin e Lezhës. Vendimi për kërkesat e të akuzuarve do të jepet në 15 nëntor.

Top Channel