Gjiknuri jep zgjidhjen për banorët: Qira deri në 3 vjet atyre që nuk shpronësohen. Më pas…

13/11/2018 15:41

Dhjetra banorët që preken nga projekti i Unazës së Re, protestuan edhe mbrëmjen e së hënës, por këtë herë para godinës së Top Channel, ku pritej mbërritja e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në emisionin “Open”.

Banorët, të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre, qëndruan para godinës së Top Channel gjatë gjithë kohës që ministri ishte i pranishëm në studio dhe artikuloi zgjidhjen për ata që nuk përfitojnë nga shpronësimet.

“Do të trajtohen me bonusin e qirasë për 3 vjet. Nga ana tjetër, këta do të kenë përparësi në trajtimin si të pastrehë, qoftë me kredi të buta, qoftë me banesa sociale”, tha Gjiknuri.

Por, zgjidhja nuk u pranua nga protestuesit, të cilët paraditen e së martës u mblodhën sërish para Bashkisë së Tiranës duke kërkuar takim me kryebashkiakun Erion Veliaj.

Protestuesit e paralajmëruan 3 herë kryebashkiakun, para se të tentonin të futeshin me forcë në zyrën e tij. Policët bashkiakë bënë të pamundurën që dera e hekurt të mos hapej.

Protestuesit arritën të bllokonin për rreth një orë qarkullimin e automjeteve në anë të Bashkisë së Tiranës, ndërsa në mbështetje të tyre ishin edhe demokratët, sot në rolin e spektatorit.

Top Channel