Taulant Balla deklaroi të martën se pedagogu i arrestuar për trafik droge është një drejtues i lartë i Partisë Demokratike në njësinë 5.

“Në rast se zotëria në fjalë do të ishte një fotografi me kryeministrin, me mua apo me një përfaqësues tjetër të PS-së, mediat do të kishin bërë hatanë, do të kishin zënë dyert e Kuvendit apo PS-së. Ndërkohë, që rast i përsëritur kur një funksionar i lartë i PD-së arrestohet për hesap të drejtësisë italiane për shkak të një dënimi disavjeçar nga drejtësia italiane për trafik narkotikësh. Është e turpshme dhe në rastin e Lulzim Bashës është e dyfishtë njolla e turpit që një person që sa herë që në krahun kundërshtar të partisë së tij ka raste të tilla bën zhurmën e madhe dhe ndërkohë që ende nga PD nuk ka një njoftim që ky person, i cili është drejtues i lartë i PD-së në Tiranë, është drejtuesi i PD-së për Njësinë numër 5, njësia më e madhe administrative brenda Tiranës. Ky person është gjithashtu edhe pjesë e Departamentit të Ekonomisë në PD. PD duhet ta përjashtojë nga radhët e saj, për shak se ka hyrë në prerogativa të përcaktuara në ligjin e dekriminalizimit”, u shpreh Balla.

“Dekriminalizimi nuk mund të ndalet vetëm tek pjesa e Kuvendit apo të zgjedhurve vendorë, por është një dimension i rëndësishëm edhe brenda organizimit të partive politike. Të gjithë shqiptarët shohin se si PD gjoja çdo ditë bën akuza kundër të tjerëve, por në rastet kur ndaj saj ka një akuzë publike, nuk ka qoftë dhe një përgjigje”, theksoi Balla.

Top Channel