“ATP Tour Finals”, Djokoviç dhe Zverev nuk gabojnë

13/11/2018 12:30

Novak Djokoviç dhe Alexander Zverev nuk i zhgënjyen tifozët e tyre në ndeshjet e para të grupit “Kuerten”, të “ATP Tour Finals” që po zhvillohen në Londër.

Tenisti serb, ndeshja e të cilit u ndoq edhe nga Cristiano Ronaldo e Georgina Rodriguez, mundi John Isnerin me rezultatin 2-0, duke regjitsruar fitoren e tij të 9 në 11 përballjet e drejtpërdrejta me amerikanin.

Djokoviç e kontrolloi mjaft mirë ndeshjen me Isnerin, duke e mbyllur setin e parë 6-4 në favorin e tij. Numri 1 i renditjes botërore ishte bindës edhe në setin e dytë, duke e fituar 6-3 e duke e mbyllur ndeshjen 2-0.

Më herët, po për grupin “Kuerten”, Alexander Zverev iu imponua Marin Çiliç me rezultatin 2-0. Edhe pse nuk shkëlqeu në fushën e lojës, tenisti gjerman arriti të kalojë kundërshtarin e tij, duke i fituar të dyja setet me “tie break”.

Në setin e parë ishte kroati që kryesoi deri në rezultatin 5-2, por Zverev reagoi dhe barazoi gjithçka në 5-5, për ta fituar më pas atë me rezultatin 7-6. Në setin e dytë, Zverev merrte gjithnjë kryesimin me 1 “game”, por Çiliç i kundërpërgjigjej në çdo rast. Sikurse edhe në setin e parë, edhe ky fraksion shkoi në “tie break”, ku Zverev dominoi duke e fituar 7-6 dhe duke mbyllur ndeshjen në favorin e tij, pas 2 orësh lojë.

Top Channel