Gjatë qëndrimit në Paris, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është takuar me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin, e siç tregoi vet në rrjetin social Twitter, tema kryesore e bisedës ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.

“Me presidentin Putin u përqëndruam te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme. Për këtë temë, Putini ishte i qartë. ‘Nese ju (Kosova dhe Serbia) arrini marrëveshje paqësore, Rusia do ta mbështesë atë’. (Shënim: citohet t’i ketë thënë Putin homologut kosovar)”, ka shkruar kreu i shtetit kosovar.

Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme është synim i të dyja palëve, ashtu si dhe kusht për përparimin e tyre në rrugën e integrimit europian.

Por, në shtypin kosovar nuk munguan ngjyrimet për këtë takim. “Presidenti Thaçi, – shkruan gazeta Express, – po përpiqet të gjejë aleatë ndërkombëtare për të vënë në jetë idenë e tij të korrigjimit të kufijve, të cilën opozita e cilëson një ide ruso-serbe”.

Argumenti i dhënë prej saj është se, duke pasur parasysh qëndrimin kategorik të Angela Merkelit lidhur me këtë çështje, Thaçi po kërkon mbështetje në një adresë tjetër: te Vladimir Putin.

Në Paris, Thaçi dhe Putin, ashtu si dhe dhjetëra krerë botërorë, kanë marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Kreu i shtetit të Kosovës është duke udhëhequr edhe delegacionin e saj në bisedimet me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve.

Rusia ka mbajtur në mënyrë të vazhduar anën e Serbisë në kundërshtimin e Pavarësisë së Kosovës.

Top Channel