Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” të Eni Vasilit, por para se të futej në ambientet e Top Channel, ai u prit me një protestë të organizuar nga banorët të cilët preken nga ndërtimi i Unazës së Re të Tiranës.

Ministri Gjiknuri e komentoi këtë protestë, duke thënë se ka shtysë politike. Ai u shpreh se e rëndësishme është që të gjendet një zgjidhje.

“Mund të jetë edhe e organizuar. Jam i bindur që ka edhe shtysë politike. Janë presione që nuk të çojnë asgjëkund. Ajo që duhet të bëjmë është të gjejmë një zgjidhje”, tha Gjiknuri.

Ndërkohë, banorët qëndruan për një kohë të gjatë jashtë ambiente të Top Channel, ndërsa në një lidhje “live” në Open, ata u shprehën se u është premtuar nga Edi Rama legalizim falas për banesat e tyre, ndërsa tashmë po ndodh e kundërta.

“Më kanë vënë kryqin e kuq aty te shtëpia, ku të shkojmë ne?! E kemi bërë me djersë. Edi Rama na ka thënë se do na bëjë legalizimet falas”, shprehet një prej protestuesve.

“Unë i bëj një pyetje Gjiknurit dhe Ramës a ka precedentë të tjerë në Shqipëri ku prona është shpronësuar me VKM dhe nëse del një pronë pa një letër mban përgjegjësi ai zotëria aty. Ky është një problem social që lidhet me të drejtat e individit. Ne nuk njohim konsultim dhe rrugëzgjidhje ndryshe. Koncepti i së drejtës dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut thotë që ata njerëz t’i sistemojë se kanë ndërtuar dy koncepte atë të e qëndrueshmërisë dhe vazhdueshmërisë”, shprehet një tjetër.

Top Channel