Pavarësisht se kanë kaluar disa ditë nga ceremonia e varrimit të minoritarit grek Konstandinos Kaçifas, që u vra në shkëmbim zjarri me forcat RENEA pasi kishte qëlluar më parë mbi policinë lokale, në Greqi ai vijon të mbetet një temë e nxehtë.

Për “Kaçifas” ka folur të hënën edhe lideri i partisë “Demokracia e Re” dhe opozitës greke, Kyriakos Mitsotakis. Ngjarjen në Bularat ai e ka etiketuar si një “vrasje”, por ka bërë thirrje që të shmangen deklarata dhe veprime që vendosin në rrezik marrëdhëniet dypalëshe.

Reagimin e tij për precedentin “Bularati”, Mitsotakis e ka dhënë gjatë një interviste për gazetën serbe “Politica”, duke komentuar edhe raportin mes Greqisë dhe Shqipërisë.

“Të shtënat dhe vrasja e një anëtari të pakicës greke në Shqipëri lë shumë boshllëqe dhe rrethana të paqarta të cilat autoritetet shqiptare duhet t’i shpjegojnë. Disa deklarata nga ana e tyre nuk janë të dobishme dhe ne të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm. Marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të ruhen dhe të mos përkeqësohen nga deklarata dhe veprime të tilla”, tha Mitsotakis.

Top Channel