“Nëse vizat nuk liberalizohen sa më parë, Kosova duhet ta kushtëzojë dialogun me Serbinë”. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha për “Radion Europa e Lirë” se ka menduar të ndodhë një lloj politike kushtëzimi, jo një lloj tërheqjeje.

“Në deklaratat e mia, asnjëherë nuk ka pasur formulime për tërheqje, por nëse Bashkimi Europian nuk është në gjendje t’i përmbushë premtimet në raport me liberalizimin e vizave, teksa ne i kemi përmbushur të gjitha kriteret, nga i pari deri tek i 95-ti, atëherë përse duhet t’i besojmë Brukselit se do të ketë instrumente që ta bindë Serbinë të njohë Kosovën? Duhet të jemi realistë në një qasje të tillë”, thotë numri dy i ekzekutivit kosovar.

Ai ka prekur edhe çështjen e taksës së vendosur ndaj importeve serbe. Pala serbe e përdori si justifikim për të bërë presion, duke thënë se “po nuk u hoq kjo taksë, nuk do të ketë bisedime”.

Hoxhaj e konsideron çështje të Beogradit nëse do të tërhiqet apo jo. “Prishtina, – u shpreh ai, – do të marrë pjesë në dialog, sepse beson te dialogu”. Vendosjen e taksës, zyrtari i lartë e shkëputi krejtësisht nga ky kontekst, duke thënë se ajo është diçka tjetër.

Për heqjen e kësaj takse ka bërë thirrje si Serbia, ashtu dhe Bashkimi Europian, por zyrtarët e Kosovës këmbëngulin se, paratë që Beogradi po fiton në Kosovë është duke i përdorur në fushatën e tij për të dëmtuar pikërisht shtetësinë e saj.

Top Channel