Në një postim në Twitter, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ka takuar të shtunën në mbrëmje në Paris Presidentin amerikan, Donald Trump.

Sipas Thaçit, Trump shprehu 100% mbështetje për marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

“Jam mirënjohës për mbështetjen e tij dhe të SHBA-së”, shkruante Thaçi, i cili, bashkë me dhjetëra liderë botërorë, përfshirë Presidentin amerikan, qëndruan në Paris, ku morën pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Në anën tjetër, nga zyra e Presidentit serb, Aleksander Vuçiç, është shpërndarë një deklaratë që njofton për takimin mes tij dhe kancelares gjermane, Angela Merkel. Në deklaratë thuhet se ata kanë biseduar për raportet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Serbisë, për bashkëpunimin ekonomik, gjendjen në rajon dhe procesin e integrimeve evropiane.

Presidenti i Serbisë pohon se ai e ka informuar kancelaren për rrjedhën e dialogut dhe hapat e fundit që ka marrë Prishtina kundër Serbisë. Ndërsa kancelarja Merkel ka theksuar gatishmërinë e Gjermanisë që të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kancelarja Merkel ka theksuar rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjermania është një prej vendeve kryesore të cilat kanë kundërshtuar idetë e fundit për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kancelarja Merkel nuk ka parashikuar ndonjë takim të ndarë me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Top Channel