Takimi i teatrove “Kadri Roshi” në Gjirokastër u hap nga trupa e teatrit “Kujtim Spahivogli” të Tiranës, me shfaqjen “Shërbëtorët”.

Ky festival do të sjellë në skenë 7 trupa përgjatë një jave. Drejtori i këtij aktiviteti, Kudret Alikaj tha se ky është një rizgjim i artit dhe i përgjigjet nevojës, kërkesave dhe shijes së publikut, për të pasur një produkt cilësor teatral.

Dy ekspozita, që sollën përkatësisht kostumet e shfaqjeve të ndryshme gjatë historisë së teatrit, e figura të shquara të artit, ishin pjesë e organizimeve të çeljes së eventit.

Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami kujtoi se ky rizgjim duhet mbështetur me restaurimin e mjedisit të teatrit, ngrohjen e sallës për shfaqjet në dimër, mbështetje që i tejkalon sipas saj mundësitë financiare të bashkisë.

Niko Dhoska dhe Bukuroshe Kokalari, aktori dhe aktorja e parë e teatrit, si dhe skenografi i parë Vaso Lili u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” nga bashkia e qytetit. Sot, në skenën e festivalit pritet në ngjitet Teatri “Skampa” i Elbasanit, me komedinë “Volpone”.

Top Channel