Nga selia e Partisë Demokratike kanë vijuar edhe këtë të dielë deklaratat që kanë në shënjestër kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.

Këtë herë, ai që ka dalë të flasë mbi “dosjen 339”, të cilës i referohet PD-ja, e që sipas së cilës fakton përtej çdo dyshimi bashkëpunimin e Dakos me bandën e Avdylajve për krimin elektoral të blerjes së votave në Qarkun e Durrësit, ka qenë deputeti Ervin Salianji.

“Përgjimet e dosjes 339, një prej të cilave daton në shkurt 2017, provuan se Vangjush Dako ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me trafikantët ndërkombëtarë të drogës, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke i shkëmbyer me pasuri, pushtet dhe favore votat e blera prej tyre për pushtetin ilegjitim të Edi Ramës”, tha deputeti demokrat Salianji.

“Dosja 339”, sipas tij nxori para shqiptarëve mënyrat sesi krimi përfiton nga marrëveshja me pushtetin e Edi Ramës, në ketë rast nga lidhja direkte me Vangjush Dakon.

“Duke u angazhuar në zgjedhje, krimi përfiton vijimin e aktivitetit kriminal të pashqetësuar nga shteti, e kjo provohet kur një anëtar i bandës i kërkon Vangjush Dakos të ndërhyjë për të larguar FNSH-në; fuqizimin e mëtejshëm ekonomik si pasojë e marrjes së punëve e shërbimeve publike, siç ka ndodhur në Durrës; favore në zyrat e shtetit, leje e licenca publike, regjistrime pronash të paluajtshme, njësoj siç ka ndodhur në Durrës”, tha më tej Salianji.

Salianji vijoi me kërkesën e palëkundur të shprehur edhe figura të tjera politike të PD-së në ditët e kaluara, për arrestimin pa vonesë të Vangjush Dakos, i cili sipas tyre duhet të jetë në burg për krimin elektoral.

“Çdo ditë në liri, ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga Edi Rama. Në Shqipëri nuk ka për të pasur drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal, pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës”, deklaroi Salianji.

Top Channel