Një ditë pas arrestimit të doktorit të shkencave ekonomike, Dritan Shoraj, i njohur si lektor i lëndës së Menaxhimit të Bizneseve dhe Koorporatave në auditorët e Fakultetit Ekonomik dhe Universitetin e Durrësit, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla ka zgjedhur rrjetin social Facebook për t’i dhënë një mesazh kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Balla akuzon Bashën në statusin e tij se, me Dritan Shorajn në krah mbajti bllokuar vettingun për disa muaj në “çadrën e lirisë” të ngritur në sheshin para Kryeministrisë, për të hedhur themelet e “Republikës së Re”, madje sulmoi edhe partnerët e Shqipërisë.

“Mirëmëngjes Lulëzim! Je zgjuar? Kur hidheshin themelet e Republikës së Re, në çadrën e “lirisë” në krahun tënd gjendej shpesh Dritan Shoraj, një person në kërkim ndërkombëtar. Me Dritan Shoraj në krah mbajte bllokuar vettingun për disa muaj, madje sulmoje dhe partnerët e Shqipërisë”, shkruan Balla në Facebook.

Arrestimi i Shorajt u krye nga forcat operacionale, pas një kërkese të autoriteteve italiane, që këmbëngulin se profesori doktor shkencash ishte gjithashtu kontigjent policie, pasi emri i tij gjendej në listën e të kërkuarve për çështje droge.

  Doktor Shkencash dhe trafikant, arrestohet pedagogu i Ekonomikut

Policia njoftoi një ditë më parë se 47-vjeçari rezulton i dënuar nga Gjykata e Apelit në Venecia me 4 vite e 20 ditë burg, për akuzën e “pjesëmarrjes në trafikun e lëndëve narkotike”. Emri i Shorajt iu përcoll Shqipërisë përmes Interpolit.

Basha fton më tej Bashën të njoftojë përjashtimin e “profesorit” nga strukturat drejtuese të PD-së.

“Sikur të thashë dje, njofto përjashtimin e “profesorit” nga strukturat drejtuese të PD. Kaq. Sa pa dalë edhe të dhëna të tjera që të kompromentojnë ty direkt”, i drejtohet Lulzim Bashës, kreu i grupit parlamentar socialist.

Siç tregojnë të dhënat zyrtare të Fakultetit Ekonomik, Shoraj mban titullin “Doktor Shkencash në Ekonomi” që prej vitit 2014. Shoraj iu dorëzua Policisë së Tiranës dhe pritet që materialet shtesë të përcillen nga Italia përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Top Channel