Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka prezantuar projektet e planifikuara për njësinë nr. 9, teksa i ka paraqitur banorëve të kësaj njësie projektbuxhetin e vitit 2019.

Ndër të tjera, në Tiranë do të rikthehet treni në ish-stacionin e vjetër.

“Lajmi i mirë që na erdhi nga Edi dhe Damiani është se do t’i rikthehemi trenit të Tiranës, aty ku ka qenë stacioni i trenit. Risia është se do të kemi një tren elektrik në Tiranë. Kemi zgjedhur një tren hibrid, i cili do të punojë me karburant pasi lë Tiranën, por sa hyn në Tiranë, do të punojë me energji elektrike”, theksoi Veliaj.

Përveç përfundimit të bulevardit të ri, i cili është drejt fundit tha Veliaj, pasi punimet kanë mbërritur në sheshin fundor, ai premtoi transformimin e bulevardit “Zogu i Parë”.

“Ambicia jonë është që Bulevardi “Zogu I”, nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi “Skënderbej”, të transformohet në një rrugë shopingu, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri; për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 ‘piaceta’. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se banorët e njësisë 9 do të përfitojnë edhe nga ndërtimi i rrethrrotullimit tek Shqiponja, pasi do të reduktohet trafiku. Ndërsa përsa i përket kulturës, ai tha që shtëpitë e dy shkrimtarëve të mëdhenj, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli, do të kthehen në muze.

Top Channel