Strukturat negociuese për integrimin, MEPJ fton të interesuarit për sugjerime

09/11/2018 12:07

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme fton subjektet e interesuara për të paraqitur komentet e tyre mbi projekt vendimin e Këshillit të Ministrave “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e strukturës shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe përfundimin e Traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian”.

Ky projektvendim po i nënshtrohet konsultimit ndërinstitucional dhe me shoqërinë civile dhe aktorët e tjerë të interesuar në procesin e integrimit evropian. Ai synon miratimin e ngritjes, organizimit dhe funksionimit të strukturës shtetërore përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe përfundimin e Traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Strukturat negociuese që do të ngrihen do të realizojnë procesin e shqyrtimit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis e BE-së, do të zhvillojnë negociatat e anëtarësimit për çdo kapitull negociues dhe do të finalizojnë kushtet e Traktatit të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Struktura përgjegjëse për negociatat sipas këtij vendimi përbëhet nga Komiteti Shtetëror për Integrimin Evropian, Delegacioni Shtetëror, Grupi Negociator, Misioni i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Sekretariati i Integrimit Evropian, Grupet Ndër-institucionale të Punës dhe Platforma e Partneritetit për Integrimin Evropian. Shoqëria civile, grupet e interesit, botës akademike dhe pushteti vendor do të bëjnë dhe monitorimin e politikave publike përgjatë procesit të negocimit, nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian, si dhe do të kërkohet dhënia e ekspertizës në fusha të ndryshme të “acquis” të Bashkimit Evropian, sipas fushës përkatëse të kompetencës. Procesi i anëtarësimit në BE para së gjithash kërkon cilësi dhe përfshirje.

Komentet mund të përcillen në adresën e email-it: [email protected] brenda një afati 20 ditor.

Top Channel