Raporteri për Shqipërinë, në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein, pohoi se Europa ka vlerësim pozitiv për drejtuesin e Ministrisë së Brendshme, Sandër Lleshin, të cilin Presidenti nuk u bind që ta dekretonte si ministër.

“Së pari, informacioni që kam unë në lidhje me z. Lleshi është shumë pozitiv. Por nga ana tjetër nuk e di nëse e kam të gjithë informacionin pasi presidenti mund te ketë disa informacione më të thella që e cojnë të marri këtë vendim. Nuk jam unë personi që duhet ta kritikojë Presidentin pasi nuk i di arsyet pse ai ka marrë atë vendim. Nga organizatat ndërkombëtare di që z. Lleshi ka komente të mira, pritet mirë prej këtyre institucioneve”, tha Fleckenstein.

Në krah me europarlamentarin, ishte ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, i cili devijoi rregullat protokollare vetëm për të vënë pikat mbi “i”, në lidhje me vlerësimin që ai tha se Sandër Lleshi gëzon në Bruksel: “Për z. Lleshi mund të konfirmoj që komuniteti ndërkombëtar e vlerëson punën dhe reputacionin e z. Lleshi dhe për këtë arsye unë mund të konfirmoj atë që tha z. Fleckenstein (Flekenshtajn), pra që z. Lleshi është një zyrtar i lartë, mjaft i njohur, i cili është trajnuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Për këtë arsye, ai edhe gëzon një reputacion shumë të mirë”.

I pyetur nga Top Channel nëse bojkoti i opozitës rrezikon reformën zgjedhore, Fleckenstein kërkoi nga liderët politikë që të mos pengojnë punën e dy bashkëkryetarevë te Komisionit parlamentar, Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi: “Kur politikanët dhe deputetët mendojnë se duhet të bojkotojnë Parlamentin nuk jam në anën e tyre. Unë mendoj se ti si deputet mund të bësh shumë jashtë Parlamentit, por fusha kryesore e betejës është brenda Parlamentit. Reforma zgjedhore konsiderohet nga ne si dicka shumë e rëndësishme. Kam për shtypjen se ende dy bashkëkryetarët e komisionit ad hoc po bëjnë më të mirën për të shpëtuar atë për të cilën ata kanë filluar të punojnë. Jam shumë i lumtur për punën që ata po bëjnë dhe shpresoj që të mos lihen në mes të shiut nga liderët e tyre”.

Në lidhje me ngjarjet në Bularat, Knut Fleckenstein pohoi se ka marrë letra nga kolegët e tij grekë. Ai i kërkoi Tiranës që të jetë e hapur ndaj Athinës, me qëllim që edhe pala tjetër të mund të verifikojë situatën: “E di që ai kishte kallashnikovin, e di që ka bërë diçka, por nëse ishte e nevojshme të qëllohej unë nuk mund ta them. Mendoj se nga njëra anë nuk duhet të lejohen nacionalistët që të keqpërdorin këtë situatë të trishtë dhe duhet të jemi të hapur nga ana tjetër nëse nuk kemi asgjë për të fshehur, për ta zgjidhur problemin mes dy vendeve”.

Europarlamentari u shpreh i kënaqur me ecurinë e reformës në drejtësi dhe kërkoi durim për problemet që hasen gjatë rrugës.

Top Channel