52 grekë u shpallën “të padëshiruar” për vendin tonë, për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike.

Ky është vendimi që u bë publik në daljen e tij të parë si zv.ministër i Brendshëm nga Sandër Lleshaj.

“Këta njerëz dhe të tjerë, që po analizohen nga forcat tona të sigurisë lidhur me shfaqjen e djeshme ekstremiste në fshatin Bularat, nuk do të lejohen të hyjnë më në këtë vend, për periudhën e parashikuar në ligj”, tha Sandër Lleshaj, zv.ministër i Brendshëm.

Lleshaj e konsideroi të papranueshëm, provokim sa vulgar aq edhe të rrezikshëm, atë që iu bë shtetit shqiptar e qytetarëve, nga individë e grupe të caktuara të ardhura nga Greqia.

“Askush nuk duhet ta marrë urtësinë tonë për dobësi dhe asnjë i huaj nuk mund të shkelë pa u përballur me pasojat, ligjin dhe traditat e mikpritjes së këtij vendi”, tha më tej Lleshaj.

Ndërkohë, 11 shtetas që bënë thirrje raciste dhe bllokuan rrugën nacionale do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale të “Nxitjes së urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cënimin e tërësisë tokësore të vendit”, si dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Gjatë kontrolleve të këtyre shtetasve nga forcat e Antiterrorit u janë gjetur dhe sekuestruar flakadanë, flamuj dhe bluza me mbishkrimin “Vorio Epiri”, “Ethniko Metepo” dhe “Misos”.

Prej vitesh, mes Shqipërisë edhe Greqisë nuk ishte folur për persona të padëshiruar. Rasti i fundit dhe më i bujshëm ishte ai i gazetarit të Top Channel, Marin Mema.

Ndërkohë që më herët, shteti shqiptar kishte shpallur “të padëshiruar” disa shtetas grekë, mes të cilëve edhe Nikolas Gejxh, përfaqësues i Federatës Panepirote me qendër në Shtetet e Bashkuara. Pas vitit 1997, masa ndaluese ndaj tij u hoq.

Top Channel kërkoi një listë të emrave të personave të shpallur si të padëshiruar, ndërsa policia ka dhënë vetëm inicialet e të shoqëruarve të djeshëm. Listat “non grata” ndërkohë i shpërndahen pikave të kalimit kufitar, të cilat kanë për detyrë të pengojnë hyrjen e të padëshiruarve në Shqipëri.

Top Channel