Shtëpia e Bardhë nuk do të pranojë më në Shtëpinë e Bardhë korrespondentin e CNN, Jim Acosta, i cili pati një përplasje me Presidentin Donald Trump në konferencën për shtyp.

Trump u tërbua me gazetarin Jim Acosta, pasi ai kundërshtoi përcaktimin që i bën Trump karvanit të emigrantëve që po i drejtohet kufirit amerikan, që i quan “pushtues”.

“Pse nuk më lë mua që të qeveris vendin dhe ti qeveris CNN. Nëse do ta bëje mirë punën tënde, shikueshmëria juaj do të rritej”, i tha Trump gazetarit.

Acosta u përpoq që t’i bënte një tjetër pyetje Presidentit, por Trump nuk e lejoi, ndërkohë që ndihmësja e Shtëpisë së Bardhë nisi një “luftë” me gazetarin për t’i marrë mikrofonin. Gazetari kërkoi që të pyeste Trumpin nëse ishte i shqetësuar për hetimin rus, por Trump tha: “CNN duhet të ketë turp që ka një punonjës si ti. Je shumë i pasjellshëm, shumë njeri i keq…”

Pasi mikrofonin e mori një gazetar tjetër, i cili u mundua të mbronte kolegun, Trump iu “përvesh” edhe atij: “Edhe ty nuk të kam qejf”.

Pasi Acosta nisi t’i fliste sërish Presidentit, Trump e akuzoi se raportonte lajme të rreme dhe se ishte armik i popullit: “Mjaft më, ulu të lutem! Ti raporton lajme të rreme. Këtë bëni ju te CNN. Kur jepni lajme të rreme, jeni armiq të popullit”.

Përmes një deklarate, CNN mbrojti reporterin e tij: “Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka revokuar kredencialet korrespondentit kryesor të CNN në Shtëpinë e Bardhë, Jim Acosta. Kjo ndodhi pas pyetjeve sfiduese në konferencën për shtyp. Në një reagim, sekretarja e shtypit Sarah Sanders gënjeu. Ajo bëri akuza mashtruese dhe përmendi një incident që kurrë nuk ka ndodhur. Ky vendim i paprecedentë është një kërcënim për demokracinë tonë dhe vendi meriton më mirë. Jim Acosta ka mbështetjen tonë të plotë”.

Top Channel